Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka propozuar që të udhëheqë personalisht një mision për ndihmë humanitare në qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit. Dendias tha në një konferencë për media në Athinë se ai kishte vendosur kontakte me kreun e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të koordinuar përpjekjet për dërgimin e ndihmave, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë e tij. Ai thotë se i ka dërguar një notë verbale palës ukrainase duke kërkuar për lehtësim të dërgimit të ndihmës humanitare në Mariupol dhe një tjetër notë verbale palës ruse duke i kërkuar që të mos pengojë këto përpjekje.