Ish-kryeministri italian, Giuseppe Conte, dhe ish-ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza do të merren në pyetje nga gjykata e ministrave në Brescia më 10 maj, si pjesë e hetimit për mënyrën sesi e menaxhuan fazën e parë të pandemisë në shkurt të 2020-s. Dokumentet e prokurorisë së Bergamos, e cila kreu hetimin për epideminë dhe moskrijimin e zonës së kuqe në Alzano dhe Nembro, u dërguan te kolegët nga Brescia, të cilët nga ana e tyre i dërguan ato në Tribunalin e Ministrave, të kryesuar nga gjyqtarja civile Maria Rosa Pipponzi dhe e përbërë nga dy gjyqtarë të tjerë civilë.