Në qarkun e Lezhës janë ndërprerë reshjet e dëborës që prej orës 1 pas mesnate, por situata mbetet mjaft problematike. Temperaturat nën zero kanë sjellë ngrica e për pasojë vështirësi lëvizje në shumë akse rrugore nacionale dhe qytete e fshatra. Ndërkohë dhjetëra qytetarë e kaluan natën jashtë, për shkak të bllokimit të automjeteve në aksin Lezhe-Milot në të cilën lëvizja është mjaft e vështirë për shkak të mosndërhyrjes për pastrimin e dëborës dhe hedhjen e kripës. Bllokimi i tyre ndodhi që prej ditës së djeshme pasi vendi u përfshi nga një stuhi dëbore duke bërë të pamundur qarkullimin. Aksi nga Lezha në drejtim të Milotit është i bllokuar, ndërsa policia po devijon automjetet drejt rrugës së vjetër.