Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur Jonaid Myzyrin, kryetarin e Komisionit të Prokurimeve Publike. Myzyri akuzohet për shkelje të barazizë në tendera të kryer në bashkëpunim. Bashkë me kreun e KPP, në të njëjtën dosje janë edhe anëtarët e tjerë të këtij komisioni, që është institucioni më i lartë administrative në fushën e prokurimeve publike që trajton ankesat që lidhen me tenderat, koncesionet, PPP-të, ankandet publike dhe lejet minerare. Myzyri pritet të paraqitet në ditët në vijim në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, për t’u pyetur nga prokurori Ervin Gokaj në cilësinë e të pandehurit dhe për t’u njohur zyrtarisht me akuzën.