Vitin e kaluar, kompanitë ajrore transportuan pothuajse po aq pasagjerë sa ç’u shitën bileta kinemaje në mbarë botën, duke e shndërruar argëtimin gjatë fluturimit në një treg të rëndësishëm për Hollivudin. Sipas Observatorit Evropian Audiovizual, në vitin 2025 u shitën rreth 4,98 miliardë bileta kinemaje, ndërsa Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror regjistroi rreth 4,97 miliardë pasagjerë në transportin ajror. "Kompanitë ajrore e marrin këtë shumë seriozisht, ashtu si edhe kompanitë e filmit. Për to, ky është një treg serioz," tha për AFP-në Terry Steiner, presidente e "Terry Steiner International", shpërndarësja më e madhe e pavarur e përmbajtjeve argëtuese për fluturime. Kur Steiner themeloi kompaninë e saj në vitin 1993, kompanitë ajrore shfaqnin zakonisht vetëm pak filma në një ekran të përbashkët, të vendosur në pjesën e përparme të kabinës. Që atëherë, "gjërat janë bërë shumë më të personalizuara falë përparimeve në teknologji," u shpreh ajo. Me ekranet e vendosura në pjesën e pasme të ndenjëseve dhe me menu të pasura që përfshijnë filma, emisione televizive, muzikë e lojëra, shikimi i filmave në avion është bërë një pjesë pothuajse thelbësore e udhëtimit ajror. "Njerëzit shikojnë filma në avionë për arsye të ndryshme," thotë Steiner, e cila ka kaluar vite të tëra në industrinë e reklamave dhe të filmit. "Ndonjëherë, njerëzit e shikojnë të njëjtin film disa herë, sepse u jep ndjesi të këndshme. Por ka edhe nga ata që kërkojnë diçka të re dhe thonë: 'Oh, nuk e pashë këtë në kinema. Dua vërtet ta shoh'." Kompania e saj shërben si urë lidhëse midis studiove të filmit dhe kompanive ajrore, duke furnizuar rreth 100 operatorë ajrorë, si dhe tregje të tjera jashtë kinemave tradicionale, përfshirë spitalet, burgjet, anijet turistike, universitetet dhe ushtrinë amerikane. Ajo shpjegon se çdo kompani ajrore ka profilin e saj të veçantë, dhe detyra e saj është të gjejë filmat që u përshtaten më së miri secilës prej tyre.