Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje publike presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që Kievi ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në një opinion të publikuar në një media ukrainase, Kurti ka komentuar qëndrimin e shprehur nga Zelensky gjatë vizitës së tij në Beograd, ku kreu i shtetit ukrainas deklaroi se pozicioni i vendit të tij ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar. Sipas kryeministrit Kurti, njohja e Kosovës nga Ukraina nuk duhet parë si një favor, por si një hap që forcon rendin ndërkombëtar dhe parimin e integritetit territorial, të cilin vetë Ukraina e mbron. Duke iu referuar hezitimit të Kievit se njohja e Kosovës mund të përdoret nga Moska si precedent për territoret e pushtuara ukrainase, Kurti argumenton se rasti i Kosovës dhe aneksimi i Krimesë nga Vladimir Putin nuk mund të trajtohen si të njëjta.