Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi kërkesat dhe la me masat e sigurisë arrest me burg Safet e Behar Bajrin, si dhe Astmer Bilalin, që akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në 10 gusht të vitit 2018 në qytetin e Shkodrës. Në seancën në apel, Safet Bajri mohoi edhe njëherë tjetër akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme. Ai i konsideroi pa lidhje përgjimet e prokurorisë, si dhe pamjet e kamerave të sigurisë, teksa tha se atë ditë ka qenë në një restorant peshku dhe më pas ka shkuar në shtëpinë e tij në Dobraç. Prokuroria thotë në dosjen e ngritur ndaj Safet e Behar Bajrit, si dhe ndaj Astmer Bilalit se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar ekzekutimin e Fatbardh Licit për hakmarrje. Vrasja dyshohet se është realizuar pasi Behar Bajri fajësonte Ibrahim Licin për vrasjen e ish efektivit të policisë, Boran Bërçana dhe bashkëjetueses së tij, Silvi Ndoci. Çifti u ekzekutua mëngjesin e datës 17 korrik 2018 në makinën e tyre dhe në sy të fëmijës 2-vjeçar. Në lidhje me këtë vrasje, nën hetim është edhe ish e dashura e Behar Bajrit, që akuzohet se ka ndihmuar autorët duke i larguar nga vendi i ngjarjes me makinën e saj.