Një grabitje nën kërcënimin e armës ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Elbasan. Disa persona të paidentifikuar dhe të veshur si punonjës policie, janë futur në një banesë në lagjen “5 maji” dhe kanë grabitur 4 telefona celularë dhe një shumë parash. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje. Sapo kanë parë policinë, personat janë larguar në drejtim të zonës kodrinore, duke përfituar nga errësira, dhe kanë braktisur automjetet. Policia ka gjetur dhe sekuestruar 2 automjete, të dyshuara se janë përdorur gjatë ngjarjes, veshje të ngjashme me uniformat e Policisë dhe prova të tjera që do t’i shërbejnë grupit hetimor për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.