Autoritetet turke kanë kërkuar mbylljen e faqes së pavarur të lajmeve T24, duke e akuzuar për publikimin e përmbajtjeve që cilësohen si “propagandë LGBTQ+”. Masa është pjesë e një fushate të nisur në mesin e shtatorit me emrin “Familja ime është e sigurt”. T24 tha se ishte në dijeni të vendimit të gjykatës, i raportuar edhe nga disa media, por se nuk kishte marrë ende njoftim zyrtar. Faqja ishte ende e aksesueshme dhe drejtuesit e saj thanë se nuk e dinin nëse vendimi prek të gjitha publikimet dhe llogaritë e medias në rrjetet sociale. Sipas Ministrisë turke, llogaritë online dhe platformat e mediave sociale të T24 janë mbyllur me vendim të Gjykatës së Qarkut të Stambollit. Autoritetet pretendojnë se portali ka publikuar 118 materiale me përmbajtje “propagandistike LGBTQI+” gjatë vitit të kaluar dhe se vendimi i është dërguar Drejtorisë së Sigurisë Kibernetike për zbatim.