Dy efektivë të policisë së shtetit janë pezulluar nga detyra për tejkalim të kompetencave dhe ushtrim dhune të tepruar ndaj protestuesve. Lajmin e njoftoi ministri i Brendshëm, Ervin Demo përmes rrjeteve sociale. Demo thotë se sapo është njohur me rastin i ka kërkuar drejtorit të përgjithshëm të policisë pezullimin e punonjësve në fjalë. “Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit”, shkruan ministri.