Borxhi publik i Shqipërisë ka shënuar rënie të ndjeshme në fillim të vitit 2026, duke zbritur në 48.79% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të marsit, sipas të dhënave paraprake. Brenda tre muajve, treguesi ka rënë me 4.08 pikë përqindjeje, i ndikuar si nga rritja e ekonomisë, ashtu edhe nga ulja reale e stokut të borxhit. Ky i fundit ka zbritur nga 1.4 trilionë lekë në fund të 2025 në rreth 1.35 trilionë lekë në mars. Rënia më e madhe është shënuar te borxhi i jashtëm, i favorizuar nga forcimi i lekut dhe përfundimi i disa detyrimeve, ndërsa borxhi i brendshëm ka pasur një ulje më të moderuar, kryesisht nga kontrolli i huamarrjes dhe rritja e PBB-së.