Senati amerikan konfirmoi diplomatin Jeffrey Hovenier për të shërbyer në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Z. Hovenier, një diplomat karriere, u emërua në për këtë post në muajin korrik nga presidenti Joe Biden. Ai ka shërbyer së fundmi si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë. Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin. Hovenier ka shërbyer gjithashtu në misionet amerikane në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).