Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me Listën Studentore pas zgjedhjeve parlamentare, nëse ekziston vullneti për një dialog serioz. Megjithatë, përpara çdo bashkëpunimi, ai ka paraqitur një sërë kërkesash që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kamberi kërkon që qeveria e re e Serbisë të ndalë përjashtimin institucional të shqiptarëve dhe të ndërpresë pasivizimin e adresave të banimit, një praktikë që sipas përfaqësuesve shqiptarë ndikon në ushtrimin e së drejtës së votës. Një tjetër kërkesë është garantimi i punësimit të drejtë në institucionet publike, gjyqësor dhe polici, duke kërkuar që shqiptarët të kenë përfaqësim të barabartë në këto struktura. Ai kërkon gjithashtu sigurimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, si dhe lejimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare.