Zvicra ka refuzuar kërkesën për dy fluturime të avionëve amerikanë të zbulimit mbi territorin e saj, duke argumentuar se ato lidhen me konfliktin në Iran dhe bien ndesh me parimin e neutralitetit të vendit. Në një deklaratë të publikuar vonë të shtunën, qeveria zvicerane bëri të ditur se ligji për neutralitetin ndalon fluturimet mbi hapësirën ajrore të vendit nga palë të përfshira në një konflikt, nëse ato kanë qëllim ushtarak të lidhur drejtpërdrejt me atë konflikt. Autoritetet theksuan se rregullat e neutralitetit nuk ndalojnë të gjitha llojet e fluturimeve. Sipas tyre, lejohen tranzitet për qëllime humanitare dhe mjekësore, si dhe fluturime që nuk kanë lidhje me operacionet ushtarake të konfliktit.