Kanë nisur punimet për autostradën e re Elbasan-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit 8. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, inspektoi këtë të hënë kantierin e ndërtimit të segmentit Elbasan-Papër-Ura e Grykshit, prej ku tha se autostrada do jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Gjatë inspektimit, zëvendëskryeministrja Balluku zbuloi dhe projektet e reja të rrugëve, që pritet të nisin. Aksi rrugor Elbasan-Rrogozhinë ka një gjatësi prej 40 kilometrash. Projekti parashikon ndërtimin e një autostrade të kategorisë A me shpejtësi lëvizjeje 130 km/orë.