Protestuesit u zhvendosën nga njëra pikë e kryeqytetit në tjetrën, duke sulmuar godina institucionesh, biznese dhe banka, ndërsa policia ndërhyri në disa momente me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur. Dhuna nisi te Ministria e Arsimit, ku godina u sulmua sërish me gurë dhe flakë. Të rinj me fytyra të mbuluara shkulën kangjellat e trotuareve, i grumbulluan përpara godinës dhe goditën institucionin me gurë. Përplasjet vazhduan në Rrugën e Durrësit. Protestuesit sulmuan dhe dëmtuan disa biznese private, ndërsa një bankë private e nivelit të dytë u dogj dhe u shkatërrua.