Banorë të zonës së Durrësit të Ri, e njohur ndryshe si Ish-Këneta, kanë protestuar mbrëmjen e së enjtes në Durrës për problematikat e shumta me të cilat përballen, ndërsa sezoni i reshjeve po afron. Protestuesit kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin në rrugën “Vëllazërimi”, një aks i rëndësishëm që lidh qytetin me autostradën Durrës-Tiranë dhe është pjesë e unazës së qytetit. Në qendër të protestës së tyre ishte mungesa e investimeve në infrastrukturë, e cila sipas banorëve vijon të shkaktojë përmbytje të përsëritura në zonë. Ata shprehen gjithashtu se ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet për pasojat e përmbytjeve të fundit.