Kompania e prodhimit të aeroplanëve, Boeing ka raportuar për numrin më të vogël të shitjeve në dy dekadat e fundit, teksa vazhdon të përballet me krizë për shkak të incidenteve që kanë ndodhur me aeroplanin e llojit, 737 Max. Kjo nënkupton se ky gjigant amerikan ka humbur titullin e prodhuesit më të madh të aeroplanëve në botë, ndaj rivalit evropian, Airbus. Aeroplani i llojit, 737 Max nuk është përdorur nga kompanitë ajrore në botë nga marsi i vitit të kaluar, për shkak të rrëzimit të dy prej pajisjeve të këtij lloji, çka kanë rezultuar me 346 persona të vdekur.