Në të gjithë Hungarinë janë mbyllur qendrat e votimit, ndërsa procesi zgjedhor ka përfunduar zyrtarisht. Pjesëmarrja në këto zgjedhje raportohet të ketë qenë rekord, duke arritur në 77.8%, shifër dukshëm më e lartë se rekordi i mëparshëm i vitit 2002 prej 73.51%. Radhët e gjata janë lidhur si me pjesëmarrjen e lartë, ashtu edhe me një praktikë ligjore që lejon votuesit të votojnë në qytete të tjera, përfshirë edhe në qendra të mëdha si Budapesti. Menjëherë pas mbylljes së votimit janë publikuar dy sondazhe politike, të cilat tregojnë një avantazh të madh për opozitën Tisza ndaj partisë në pushtet të Viktor Orbán. Sipas sondazhit Median, Tisza merr 57.1% të votave dhe do të siguronte 135 mandate, ndërsa Fidesz 37.1%. Edhe sondazhi i Qendrës Kërkimore 21 jep një rezultat të ngjashëm, me Tisza në rreth 55% dhe Fidesz në 38%. Megjithatë, priten rezultatet zyrtare që do të përcaktojnë përfundimisht nëse Victor Orbán do të humbasë pushtetin pas 16 vitesh në drejtim të vendit.