Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar vendet e NATO-s për pasoja shumë të rënda në të ardhmen, nëse nuk ndihmojnë për të garantuar sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Në një intervistë për Financial Times, ai theksoi se vendet që përfitojnë nga kjo rrugë detare duhet të kontribuojnë në mbrojtjen e saj. Trump kërkoi gjithashtu përfshirjen e Kinës në këtë operacion, duke argumentuar se Pekini merr rreth 90% të naftës së tij përmes kësaj ngushtice. Ai la të kuptohet se mund të shtyjë vizitën planifikuar në Pekin për t’u takuar me presidentin Xi Jinping, derisa të kuptojë më qartë qëndrimin e Kinës për situatën.