Nxitimi i socialistëve për të votuar hartën administrative-territoriale konsiderohet anti-kushtetues nga demokratët. Deputetja Jorida Tabaku solli në komisionin e ligjeve, letrën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për të cilën thotë se duhet të shikohet me prioritet, pasi tregon se bashkia më e madhe në vend nuk është konsultuar për ndryshimin e hartës. Tabaku: “Unë nuk kam shumë respekt për Veliajn, por duhet ta shikoni me prioritet letrën që i ka nisur kuvendit. Kryetari i bashkisë më të madhe në vend thotë që nuk është konsultuar popullsia e Tiranës. Bashkia e Tiranës është një e treta e vendit dhe nuk është konsultuar. Bashkia e Tiranës ishte ashtu si ishte e pamenaxhueshme me njësitë administrative të cilat e kishin të pamundur të kishin pushtet vendor afër qytetarit, ju sot i shtoni edhe njësi të tjera. Konsultimi për Tiranën ku është? Nuk mund ta lemë Tiranën të padëgjuar.”