Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të mbledhë mbrëmjen e kësaj të diele kabinetin e sigurisë për të diskutuar zbatimin e planit me 20 pika të presidentit amerikan, Donald Trump, për të ardhmen e Rripit të Gazës. Sipas medias izraelite Ynet, kabineti pritet të miratojë vendosjen e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza, si dhe dërgimin e rreth 4 mijë palestinezëve në Egjipt, ku do të trajnohen për t'u bërë pjesë e forcave të reja policore. Ky proces kërkon paraprakisht miratimin e shërbimit izraelit të sigurisë së brendshme, Shin Bet. Ministrat pritet të shqyrtojnë gjithashtu lejimin e hyrjes në territorin palestinez të materialeve dhe pajisjeve të nevojshme për projektet humanitare dhe infrastrukturore. Sipas televizionit izraelit Channel 12, masat në fjalë lidhen me marrëveshjet e arritura gjatë një bisede telefonike mes Netanyahut dhe Jared Kushner, dhëndrit dhe të dërguarit të presidentit amerikan. Ndër projektet e parashikuara është ndërtimi i banesave të përkohshme në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, me financim nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Plani përfshin gjithashtu nisjen e punës së Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, një strukturë e përbërë nga teknokratë palestinezë, e cila synon të marrë përsipër drejtimin e territorit në vend të Hamasit. Mbledhja e kabinetit izraelit zhvillohet një ditë përpara se i dërguari i Këshillit të Paqes, Nikollaj Mlladenov, të raportojë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.