Harta e re administrative territoriale do të jetë testi i parë i votave të mazhorancës socialiste.Bindja e të majtëve se me epërsinë e fituar në zgjedhjet e vitit të kaluar mund të votonin cilëndo nismë vetëm me forcën e tyre të kartonave, është lëkundur me mosdakordësitë që ka sjellë shkrirja e 15 bashkive brenda grupit parlamentar. Dy deputetët Vullnet Sinaj dhe Erion Braçe votuan kundër në mbledhjen me dyer të mbyllura të socialistëve. Vota e Sinajt nuk ishte aspak surprizuese pasi që në momentin e parë kur harta është bërë publike, ai ka shfaqur bindjen se shkrirja e Selenicës me Vlorën nuk është efikase. Ndërkohë, Braçe votoi kundër për shkak se sipas tij mendimi i ligjvënësve nuk është marrë parasysh gjatë hartimit dhe depozitimit të nismës, dhe kjo çështje është diskutuar shumë pak në mbledhjet e grupit parlamentar.