Një incident i frikshëm ndodhi këtë të martë në një zonë turistike alpine në veri të Italisë, pranë kufirit me Zvicrën. Një teleferik u bllokua pas një defekti teknik, duke lënë rreth 100 persona të izoluar në një lartësi rreth 2,800 metra mbi nivelin e detit, raportojnë mediat italiane. Kjo pasi një kabinë e teleferikut u përplas me barrierën gjatë hyrjes në stacionin malor. Nga goditja u plagosën tre persona që ndodheshin aty. Për të bërë të mundur shpëtimin e personave të bllokuar u ndërhy me helikopter. Operacioni i evakuimit u krye nga zjarrfikësit dhe policia financiare, ndërkohë që për arsye sigurie u mbyllën pistat e skive dhe u pezullua aktiviteti i impiantit. Operatori i teleferikut konfirmoi për mediat se shkak i incidentit ishte një defekt teknik, pasi sistemi i frenimit nuk funksionoi siç parashikohej, duke aktivizuar kështu mekanizmat e emergjencës. Teleferiku u ndërtua në vitin 1962 dhe në vitin 2023 iu nënshtrua një restaurimi masiv që kushtoi 2 milionë euro. Ai përdoret kryesisht nga turistët që frekuentojnë zonën gjatë sezonit të skive.