Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi nisjen e negociatave me partitë dhe faktorët e tjerë politikë, me synimin për të krijuar një front të përbashkët opozitar kundër kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se tashmë është momenti që çdo faktor politik të shprehë gatishmërinë për bashkëpunim, duke lënë mënjanë dallimet për arritjen e një qëllimi të përbashkët. Berisha në fjalën e tij ritheksoi qëndrimin kundër votimit elektronik, duke shprehur rezerva për sigurinë dhe besueshmërinë e këtij procesi. Kryedemokrati ngriti gjithashtu shqetësime për identifikimin elektronik të zgjedhësve, duke pretenduar se ky sistem është shoqëruar me abuzime shumë serioze.