Kryeministri Edi Rama pati një axhendë te ngjeshur në Manastir, që nga vizita tek Shtëpinë Muze ku 118 vite më parë u mbajt Kongresi që mundësoi njësimin e alfabetit shqip, tek ndalesa në Konsullatën e Nderit të Shqipërisë, ku mori pjesë në zbulimin e një pllake përkujtimore me rastin e 100-vjetorit të hapjes së saj, e deri tek takimi me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, që ndau nga ana e tij detaje të bisedës së fokusuar tek çështjet me interes të përbashkët për shqiptarët, forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, perspektivën europiane dhe partneritetin në NATO. Një bisedë vëllazërore, e hapur dhe me përkushtim, sic e përshkroi kreu i BDI-së, duke theksuar se ajo i dha një domethënie të veçantë faktit që takimi u zhvillua më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe në prag të festës së Pavarësisë. Por pavarësisht axhendës së paur me aktivtetite të Ramës, aty mungoi një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte gjithashtu në të njëjtën ditë në vendin fqinj, për të kremtuar të njëjtën ngjarje historike. Kurti e shmangu nga ana e tij një takim me Ali Ahmeti, kryetar të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por vendosi të takonte vetëm përfaqësuesit e VLEN, i cili bashkëqeveris me Hristian Mickoskin. Interesabt ishte fakti që teksa një shtrëngim duarsh mes tij dhe kryeministrit shqiptare Rama mungoi në manastir, Kurti në fjalimin e mbajtur me rastin e 118 vjetorit të Kongresit të Alfabetit Shqip, si për ironi, përcolli mesazhin se “shqiptarët duhet të dijnë të bashkohen përtej dallimeve politike, fetare dhe krahinore”. “E ardhmja jonë është e shkruar në gjuhën e bukur shqipe”, u shpreh ai, ndërkohë që syrit të shqiptarëve vetë nuk i shpëtoi fakti që dy kryeministrat shqiptarë, nuk u takuan në asnjë moment me njëri-tjetrin.