Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë në Ukrainë edhe katër sisteme të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë, HIMARS, njoftoi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Austin u tha gazetarëve në Pentagon se Ukraina po i përdor shkëlqyeshëm HIMARS-ët që SHBA-ja i ka dërguar deri më tani dhe ndikimi i këtyre sistemeve po mund të shihet në fushëbetejë. “Rusia po vazhdon bombardimet e saj të pamëshirshme dhe kjo është një taktikë mizore që të kujton tmerret e Luftës së Parë Botërore. Kështu që Ukrainës i duhet fuqia e zjarrit dhe municionit për t’i bërë ballë kësaj breshërie dhe për t’iu kundërpërgjigjur”, tha ai.