Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi gjatë mbledhjes së kësaj të marte propozimin e kryebashkiakut Veliaj për dhënien e një shpërblimi sa një pagë mujore për punonjësit e shërbimit zjarrfikës pas angazhimit të tyre në përballimin e zjarreve, përmbytjeve dhe emergjencave civile gjatë këtij viti. Nga vendimi parashikohet të përfitojnë 189 punonjës me gradë të Shërbimit Zjarrfikës, të cilët u përballën dhe me një nga situatat më të vështira siç ishte zjarri në malin e Dajtit, ku forca të shumta u angazhuan nga 25 korriku deri më 10 shtator. Gjatë kësaj periudhe, forcat zjarrfikëse janë mbajtur në gatishmëri të vazhdueshme për kontrollin, izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.