Komiteti i Disiplinës në Dhomën Kombëtare të Avokatisë u mblodh këtë të premte për të diskutuar masat ndëshkimore për dy avokatët që thyen vendimin kolegjial të bojkotit të seancave në Gjykatën e Posaçme. Mbledhja u thirr pasi avokati Lefter Xhengo u paraqit në seancën e masës së sigurisë për administratorin e inceneratorit të Elbasanit, Leli Kaja. Ky i fundit u arrestua pak ditë më parë nga SPAK me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, teksa në seancën e zhvilluar në GJKKO në prani të avokatit të tij, Lefter Xhengo, GJKKO e la në arrest shtëpie. Komiteti i Disiplinës i Dhomës së Avokatëve e konsideroi pjesëmarrjen një shkelje të rëndë, duke e vendosur pezullimin e licencës së avokatit për Lefter Xhengon për një periudhë dyvjetore.