Kryeministri Edi Rama vendosi në dukje potencialin ekonomik të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor për të tërhequr investime europiane, gjatë fjalës përmbyllëse në Konferencën Ndërkombëtare të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, që u mbajt në Tiranë. Sipas kreut të qeverisë rajoni nuk duhet parë më vetëm përmes perspektivës së zgjerimit të Bashkimit Europian, por edhe si një destinacion i ri për investime, inovacion dhe prodhim. Jemi një destinacion i ri investimi. Jemi një kënd në rritje i rritjes së Evropës, konkurrueshmërisë e rezistencës. Ballkani Perëndimor si një horizont i ri për investim, novacion e prodhim nuk është slogan, është një propozim dhe propozimi natyrisht duhet të vërtetohet me projekte partneritete e rezultate. Kështu që më lini t’ju jap argumentin për vendin që ndodh se njoh më mirë. Shihni Shqipërinë. Një dekadë më parë, kjo ishte një ekonomi 10 miliardëshe euro, sot është një ekonomi 30 miliardë euro. Thuajse e kemi trefishuar dhe ambicia jonë është që deri në 2040, ta dyfishojmë sërish.