Reshjet intensive të shiut kanë dëmtuar rëndë një nga akset rrugore të Ishmit në bashkinë e Durrësit. Për shkak të dëmeve në aksin Lalëz-Draç është bllokuar qarkullimi i mjeteve për çështje të sigurisë. Ndërkohë intensiteti i lartë i shirave, në territorin e bashkisë së Durrësit ka rritur nivelin e prurjeve të lumenjve dhe kanaleve kulluese kryesore, dytësore dhe të treta, duke shtuar rrezikun nga përmbytjet e banesave dhe tokave përgjatë tyre. Sipas mbrojtjes civile, në Sukth është rritur niveli i lumit Erzen duke arritur kuotat maksimale pranë argjinaturave të ngritura pas investimit të bashkisë për parandalimin e përmbytjeve.