Udhëheqësit e Evropës dhe Ukrainës do të flasin me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një takim virtual të mërkurën, para samitit të tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin. Trump do të presë Putinin për bisedime në Alaskë të premten. Presidenti amerikan ka thënë se ky takim do të shërbejë si një “takim njohës” në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Javën e kaluar, Trump u pajtua për mbajtjen e takimit të parë SHBA–Rusi që nga viti 2021, duke ndryshuar papritur kursin, pavarësisht se për javë të tëra kishte shprehur zhgënjim me Putinin, i cili shpërfillte nismën paqësore të SHBA-ve. Trumpi thotë se si Kievi ashtu edhe Moska do të duhet të heqin dorë nga pjesë të tokës së vet për t’i dhënë fund luftës. Trupat ruse tashmë kanë pushtuar gati një të pestën e të gjithë tokës së Ukrainës. Paparashikueshmëria e mënyrës se si do të zhvillohet takimi në Alaskë ka nxitur frikë në Evropë se udhëheqësit amerikanë dhe rusë mund të marrin vendime me pasoja të gjera, madje të përpiqen ta detyrojnë Ukrainën ta pranojë ndonjë marrëveshje të paleverdishme.