Ministria e Jashtme ka reaguar në lidhje me letrën e ministrit Igli Hasani drejtuar institucioneve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 në Shqipëri, që në interpretimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha është kërcënim ndaj misionit vëzhgues të huaj në Shqipëro. Siç është e qartë dhe në letrën e përmendur, nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak presion ndaj tyre, thotë Ministria e Jashtme. Është në praktikën normale të çdo procesi zgjedhor, vijon deklarata, që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin pranë Misionit vëzhgues saktësime teknike dhe kontekst lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të cilat vlerësohet se janë të nevojshme për t’u konsideruar në një raport përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova. Edhe në rastin në fjalë, deklarohet më tej, janë paraqitur sqarime që janë vlerësuar se mund të merren parasysh nga raportuesit gjatë hartimit të Raportit përfundimtar. ‘Marrja në konsideratë apo jo e sqarimeve, është ne diskrecionin e plotë të Misionit vëzhgues. Kujtojmë se edhe vetë ODIHR ka reaguar më parë që nuk ka pasur një presion të tillë’, shtohet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme