Ministri kinez i Mbrojtjes, Li Shangfu viziton për disa ditë Rusinë dhe Bjellorusinë, për të treguar mbështetje ndaj dy vendeve që Perëndimi është përpjekur t’i izolojë pas agresionit rus në Ukrainë. Li u nis këtë të hënë për një udhëtim 6- ditor, gjatë të cilit do të mbajë fjalim në Konferencën e Moskës për Siguri Ndërkombëtarë dhe do të takohet me drejtuesit e mbrojtjes nga Rusia dhe vende të tjera, njoftoi përmes një postimi në rrjete sociale Ministria e Mbrojtjes e Kinës. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS njoftoi se në konferencë Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov pritet të flasë gjatë diskutimeve me temë “Përpjekjet e vendeve më të mëdha të botës për të gjetur rrugë zhvillimi larg mekanizmave Perëndimorë dhe forcimi i një forme të re të bashkimit shumëkombësh”.