Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka bërë thirrje për paqe, drejtësi dhe dialog kombëtar, në një deklaratë lidhur me protestat dhe përshkallëzimin e situatës në vend. Përfaqësuesit e komuniteteve fetare kanë theksuar se shqetësimet e qytetarëve dhe studentëve duhet të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet duhet të japin përgjigje konkrete dhe transparente, në përputhje me ligjin. Sipas tyre, e drejta për protestë paqësore është një vlerë themelore demokratike, por dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen. Në deklaratë, Këshilli Ndërfetar nënvizon se dëmtimi i bizneseve prek drejtpërdrejt jetesën e familjeve, ndërsa cenimi i institucioneve arsimore dhe përfaqësive diplomatike dëmton sigurinë dhe bashkëjetesën. Për këtë arsye, përfaqësuesit fetarë bëjnë thirrje për më pak përplasje dhe akuza, si dhe më shumë përgjegjësi, dëgjim dhe dialog. Po ashtu, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë u bën apel qytetarëve dhe institucioneve që të zgjedhin dialogun përballë konfliktit dhe të vendosin interesin e përbashkët, sigurinë e qytetarëve dhe paqen shoqërore mbi çdo interes tjetër.