Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim tetë persona, ish drejtues të Agrocredit. SH.A, që akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Nën akuza janë ish administratori i shoqërisë, ish kryetarja e këshillit mbikëqyrës të saj dhe gjashtë anëtarët e këtij këshilli. Hetimet ndaj tyre nisën pas një kallëzimi të bërë në SPAK në vitin 2020 nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit. SPAK shpalli moskompetencë dhe ja kaloi dosjen Prokurorisë së Tiranës. KLSH gjeti shkelje te tenderat e kryer nga kjo shoqëri, që është në pronësi 100 për qind të Ministrisë së Financave. Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës rezultoi se procedurat e ndjekura, specifikisht për blerje automjeti janë realizuar pa miratimin e Ministrit të Financave në atë kohë dhe në dosjen e tenderit nuk administrohet argumentimi i kritereve të veçanta për kualifikim, në kundërshtim me ligjet në fuqi.