Qeveria e Irakut po krijon një komitet që do të bëjë përgatitjet e nevojshme për mbylljen e misionit të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në këtë vend, njoftoi të premten zyra e kryeministrit, Mohammed Shia al-Sudani. Njoftimi erdhi një ditë pasi një sulm i SHBA-së vrau një udhëheqës milicie në Bagdad, duke shkaktuar zemërim në mesin e grupeve mbështetëse iraniane që kërkonin nga qeveria t'i japë fund pranisë së koalicionit në Irak. “Qeveria cakton një datë për fillimin e punës së komitetit dypalësh për të hartuar marrëveshjet për përfundimin e përhershëm të pranisë së forcave të koalicionit ndërkombëtar në Irak”, thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit.