Edhe në Greqi ka rënë kambana e alarmit për sigurinë kibernetike, pas sulmeve që kanë goditur sistemet e kontrollit të frigoriferëve në supermarkete në vende të tjera të Europës. Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike në Athinë ka bërë të ditur se në gjithë territorin e vendit janë identifikuar më shumë se 300 sisteme industriale të ekspozuara drejtpërdrejt në internet, kryesisht kontrollues të sistemeve të ftohjes komerciale të kompanive ndërkombëtare. Bëhet fjalë për pajisje që përdoren për kontrollin në distancë të temperaturës dhe funksionimit të frigoriferëve në supermarkete, magazina, kompani ushqimore dhe ambiente të tjera ku ruajtja e produkteve në temperaturën e duhur është e domosdoshme dhe thelbësore. Mëngjesin e së martës, në mediat greke kanë dalë përfaqësues nga kompani të ndryshme ushqimore që kanë deklaruar se kanë gjetur frigoriferët e tyre me temperaturë të ndryshuar. Madje një prej rasteve dëshmoi se punonjësit e një supermarketi gjetën treguesin e temperaturës së frigoriferëve tek 150 gradë. Për fat të mirë ata e zbuluan këtë më oret e para të mëngjesit kur temperatura ende ndodhej në 17 gradë. Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike u ka kërkuar kompanive greke që këto sisteme të shkëputen menjëherë nga interneti publik, ndërsa kontrolli në distancë të realizohet vetëm përmes lidhjeve të sigurta VPN dhe identifikimi me disa faktorë.