Hovi i inteligjencës artificiale është një flluskë që ka gjasa të plasë dhe të shkaktojë recesion para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028, deklaroi për CNN Gary Gensler, ish-kreu i mbikëqyrjes financiare në Ëall Street. Ai ishte zyrtari kryesor përgjegjës për mbikëqyrjen e tregjeve të kapitalit në SHBA gjatë administratës Biden. Paralajmërimi vjen në një moment delikat për industrinë e IA-së, pas një sërë goditjesh të njëpasnjëshme gjatë javëve të fundit. Fitoret befasuese të Demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit kanë ngjallur frikë te investitorët për një shtrëngim të mundshëm rregullator ndaj qendrave të të dhënave, të cilat janë thelbi i zhvillimit të IA-së. Uashingtoni dhe Ëall Street-i po ndiejnë ende pasojat e rënies së bujshme të Jensen Huang nga kompania Nvidia, njeriu më i rëndësishëm në këtë industri. Dhe tani, një provë vendimtare është në horizont: kompania "Anthropic" po përpiqet të realizojë një ofertë publike fillestare rekord, pikërisht në mes të këtyre vështirësive. Gensler vë në dukje shumat marramendëse të parave, që sipas disa vlerësimeve arrijnë në 800 miliardë dollarë në vit, që po investohen në ndërtimin e infrastrukturës për IA-në. "Historia na mëson se kur shfaqet një teknologji e re dhe bëhen investime të konsiderueshme vjen një moment kur rritja ndalet dhe pason një tërheqje," thotë Gensler. "E vetmja pyetje është nëse do të jetë një recesion i lehtë apo diçka më dramatike". Këto komente e bëjnë Gensler-in ish-zyrtarin më të lartë federal të rregullimit financiar që paralajmëron publikisht se një recesion i shkaktuar nga IA-ja mund të jetë në horizont.