Organet e hetimit në vend kanë plot vakanca, për të cilat Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përgatitur tashmë një skenar, për të bërë sadopak në këtë drejtim. Aktualisht janë 38 vende të lira në të gjitha prokuroritë e vendit, ndërsa 11 prej tyre janë gati për rekrutim në mbledhjen e kësaj të mërkure që zhvilloi Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Vettingu deri tani i gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar, spastroi nga sistemi i drejtësisë një numër të konsiderueshëm aktorësh kyç të gjyqësorit. Krahas të shkarkuarve nga reforma në drejtësi janë të shumtë edhe ata gjyqtarë apo dhe prokurorë që kanë dhënë dorëheqjen apo të cilët ngurojnë të aplikojnë në vende që tashmë janë të shpallura vakante.