Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po harton një strategji kombëtare për të luftuar islamofobinë, thanë zyrtarë të shtëpisë së bardhë ndërkohë që kjo e fundit po përballet me presionin dhe skepticizmin e komunitetit mysliman në SHBA, për shkak të mbështetjes që i ka ofruar sulmit ushtarak të Izraelit ndaj Hamasit në Gazë. Paraprakisht ishte parashikuar që Shtëpia e Bardhë të njoftonte për këtë strategji javën e kaluar, kur Biden u takua me liderët myslimanë, por njoftimi u shty, thanë tre burime për agjencinë e lajmeve Associated Press. Dy prej burimeve thanë se njoftimi u shty për shkak të shqetësimeve të komunitetit mysliman amerikan se administrata ka mungesë besueshmërie për këtë çështje, duke pasur parasysh mbështetjen që i ka dhënë ushtrisë së Izraelit, në fushatën e saj të sulmeve në Gaza, ku kanë humbur jetën me mijëra civilë.