Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e së hënës në aksin Fier- Levan, në afërsi të vendit të njohur si “Kthesa e Zhupanit”. Një automjet ka humbur kontrollin dhe për pasojë është përplasur në anë të rrugës me një shtyllë elektrike. Nga përplasja e fortë ka mbetur i lënduar drejtuesi i automjetit, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Policia dhe grupi hetimor mbërritën në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa punonjësit e OSHEE nisën punën për të riparur shtyllën elektrike, që është pjesë e një linje tensioni të lartë. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën po udhëtonte automjeti dhe një manovër e gabuar në rrugë e drejtuesit të tij.