Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu pasditen e të enjtes fushën e mbetjeve urbane të qytetit të Vlorës. Një re e dendur tymi mbuloi zonën, duke alarmuar banorët dhe autoritetet. Flakët, të ndihmuara nga era e fortë që frynte në drejtim të veriut dhe verilindjes, u përhapën me shpejtësi në sipërfaqen e mbetjeve. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta zjarrfikëse, si dhe punonjës të bashkisë së Vlorës, të cilët punuan për më shumë se dy orë për neutralizimin e flakëve. Gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit, një fadromë që shërbente për mbulimin me dhe të mbetjeve u përfshi nga flakët. Një punonjës që tentoi të largonte mjetin nga vatra e zjarrit u asfiksua dhe u transportua në Spitalin Rajonal të Vlorës. Ndërkohë, policia e qytetit ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit. Janë marrë në pyetje disa banorë të zonës, si dhe persona të tjerë që kanë frekuentuar zonën, ndërsa po këqyren kamerat e sigurisë të bizneseve pranë fushës së mbetjeve. Pas rreth dy orësh përpjekje intensive, zjarri u vu nën kontroll. Autoritetet mbeten në gatishmëri për të shmangur rindezjen e mundshme të flakëve.