Prej 30 vitesh merret me bletari, por këtë sezon e konsideron më të vështirin në gjithë përvojën e tij. Pashun Memishi, bletar nga Valareja e Gjirokastrës, kujdeset për rreth 100 koshere bletësh. Ai thotë se këtë vit kushtet e pafavorshme klimatike, veçanërisht temperaturat ekstreme, kanë ndikuar drejtpërdrejt në prodhimin e mjaltit, i cili është përgjysmuar. “Bletët janë inteligjente dhe kërkojnë shumë përkushtim”, thotë bletari, duke shpjeguar se puna me to kërkon kujdes të vazhdueshëm dhe përshtatje me kushtet e motit. Sipas tij, ndryshimet e temperaturave kanë prishur ciklin normal të zhvillimit të bimësisë dhe kanë ndikuar në sasinë e nektarit të mbledhur nga bletët.