Pas një nate alarmi në disa zona të Lezhës, ku flakët rrezikuan edhe banesa, kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu, ka thirrur sot një mbledhje urgjente me prefektin e qarkut, drejtuesit e Policisë së Shtetit, përfaqësues të SHISH-it dhe strukturat e emergjencave. Në qendër të takimit ka qenë situata e rënduar nga zjarret dhe identifikimi i personave përgjegjës për ndezjen e vatrave. Aktivizimi i disa vatrave në zona të ndryshme dhe përhapja e shpejtë e flakëve kanë ngritur dyshime për zjarrvënie të qëllimshme. Për këtë arsye, Ndreu ka kërkuar angazhim maksimal të të gjitha strukturave për zbardhjen e rasteve dhe identifikimin e autorëve.