Sezoni turistik nuk mbyllet me fundin e gushtit në Durrës. Fillimi i vjeshtës ka sjellë një valë të re vizitorësh nga mbarë Evropa, ndërsa prenotimet në strukturat akomoduese shtrihen deri në mesin e tetorit, duke e shndërruar vjeshtën në një mundësi të shkëlqyer për ta shijuar bregdetin pa fluksin e madh të verës. Për shumë të huaj, Durrësi dhe Shqipëria nuk është vetëm plazh, por një paketë e plotë me energji, aktivitete e argëtim. “Erdhëm për shkak të motit, por edhe sepse dëgjuam për festat dhe muzikën afrobeats që bëhet në Durrës. Donim ta provonim vetë! Durrësi është shumë i këndshëm, moti është i shkëlqyer dhe njerëzit shohin punën e tyre.” Përveç atyre që kërkojnë festat dhe aventurën, shtatori tërheq edhe shumë familjarë dhe të rinj që shfrytëzojnë këtë periudhë për pushime më të qeta.