Forcimi i partneritetit strategjik, thellimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme, si dhe intensifikimi i përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar janë në fokus të mesazhit që sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka drejtuar Shqipërisë me rastin e 28 Nëntorit. Kreu i diplomacisë amerikane, teksa përcjell urimet për Ditën e Pavarësisë, rikonfirmon rëndësinë e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Uashingtonit, duke shprehur gatishmërinë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet e mia më të ngrohta popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie të fortë të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet midis njerëzve. Ne mirëpresim thellimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në çështje kyçe të mbrojtjes dhe politikës së jashtme”, shprehet Rubio.Një vëmendje të veçantë në mesazhin e tij, sekretari amerikan i Shtetit i kushton luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, karteleve të trafikut të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke e evidentuar atë si një nga fushat e rëndësishme të partneritetit strategjik mes dy vendeve.“Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to”, thekson shefi i diplomacisë amerikane. Siguria kibernetike përbën një tjetër dimension të bashkëpunimit mes Tiranës dhe Uashingtonit. Rubio vlerëson përpjekjet e përbashkëta për përballimin e kërcënimeve kibernetike, ndërsa Shqipëria vijon forcimin e kapaciteteve të saj në këtë fushë.. Në përmbyllje, ai shpreh angazhimin e Shteteve të Bashkuara për konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit me Shqipërinë. “Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të thellojmë të gjitha aspektet e marrëdhënies sonë të dobishme reciprokisht”, përfundon mesazhin e tij kreu i diplomacisë amerikane.