Industria e manifakturës po përballet me një nga periudhat më të vështira, ndërsa sektori i fasonerisë vijon të humbasë vende pune dhe kompani. Nga rreth 65 mijë punonjës që kishte dikur kjo industri, sot numri ka zbritur në rreth 40 mijë. Shifrat u bënë publike në një takim të Shoqatës “Manifaktura Shqiptare” me bizneset e sektorit të fasonerisë në qarkun e Elbasanit, kryesisht në fushën e tekstileve. Sipas të dhënave të shoqatës, nga rreth 700 njësi fasonerie që kanë qenë pjesë e saj, rreth 150 janë mbyllur vitet e fundit.