Rikthehen përplasjet në distancë mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kryeministrit britanik, Keir Starmer. Ky i fundit ka vendosur sërish të mos i bashkohet Trump në bllokadën ndaj Ngushticës së Hormuzit, pas dështimit të negociatave në Pakistan. Një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tha se ngushtica “nuk duhet t’i nënshtrohet pagesës së taksës”. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim lirinë e lundrimit dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit, pasi është e nevojshme për ekonominë globale dhe koston e jetesës në vend”, tha zyrtari britanik, duke shtuar se “Po punojmë urgjentisht me Francën dhe partnerë të tjerë për të krijuar një koalicion të gjerë për të mbrojtur lirinë e lundrimit."