Një pilot garash është vënë nën hetim në Zvicër, pasi akuzohet për një sulm seksual ndaj një infermiereje që kujdesej për ish-kampionin e Formula 1, Michael Schumacher. Sipas mediave zvicerane, ngjarja e dyshuar daton në vitin 2019, ndërsa kallëzimi penal është bërë në vitin 2022. Çështja pritet të shqyrtohet këtë javë nga gjykata kompetente në kantonin e Vaud. Shtypi lokal raporton se piloti i akuzuar ishte mik i Mick Schumacher, djalit të ish-kampionit të botës, dhe ndodhej si i ftuar në rezidencën e familjes Schumacher në Gland, pranë liqenit të Gjenevës. Prokuroria pretendon se gjatë një mbrëmjeje private, personi i akuzuar ka kryer një akt të rëndë ndaj infermieres që kujdesej për ish-pilotin legjendar. Në dokumentet gjyqësore thuhet se viktima dhe i pandehuri ishin takuar më parë në disa raste, por versionet e tyre për marrëdhënien janë të kundërta. Asnjë anëtar i familjes Schumacher nuk është i përfshirë në këtë çështje, ndërsa gjyqi pritet të zhvillohet në ditët në vijim. Legjenda e Formula 1, duke bërë ski me djalin e tij në atë kohë 14-vjeçar, në resortin e Meribel në Alpet Franceze, humbi kontrollin duke dalë nga pista dhe pësoi dëmtime të rënda në kokë duke përfunduar në koma. Ai u transportua me helikopter në spital dhe iu nënshtura dy neurokirurgjive përpara se të vendosej në koma. Në shtator 2014, Schumacher u kthye në shtëpinë e tij në Zvicër, ku vazhdoi rehabilitimin. Si nga momenti i aksidentit fatal ashtu edhe nga momenti kur Michael Schumacher u zgjua nga koma, gruaja e tij Corina, fëmijët e tij dhe të gjithë njerëzit e afërt nuk lejojnë të rrjedhin informacione për shëndetin e tij.